Lajme

Detaje të reja nga ekzekutimi në Vlorë: Autori u filmua nga kamerat e sigurisë

Detaje të reja janë zbuluar nga policia lidhur me vrasjen e ndodhur një ditë më parë në Vlorë, ku humbi jetën 58-vjeçari Renato Hoxhaj. Një prej kamerave të sigurisë pranë banesës së viktimës ka kapur momentet e autorit të krimit, i cili ishte i kamufluar me kapele dhe shall, duke u përpjekur të fshihte identitetin.

Nga pamjet filmike, autori shihet të ketë ardhur nga kodra pas banesës së Hoxhajt, ndërsa pas ekzekutimit është larguar sërish nga i njëjti drejtim, në zonën e njohur si Kuzumbaba.

Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar katër gëzhoja të qëlluara me armë zjarri të llojit pistoletë 9 mm. Sipas ekspertizës, 58-vjeçari ka marrë dy plumba në kokë dhe dy të tjerë në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Hetuesit po vijojnë punën për mbledhjen e kamerave të tjera të sigurisë në zonën përreth, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Deri tani, policia ka shoqëruar pesë persona për t’i marrë në pyetje, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Bashkëjetuesja e viktimës, në dëshminë e saj përpara grupit hetimor, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të Hoxhajt. Ajo ka rrëfyer se në momentin e ngjarjes ka dëgjuar të shtënat, por ka menduar se bëhej fjalë për fishekzjarrë.

Grupi hetimor vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorit.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button