Lajme

Detaje të reja nga atentati në Lundër: Hetuesit përjashtojnë pistën e parë, në fokus një tjetër G-Class

Zbardhen detaje të reja nga atentati i ndodhur më 17 prill në zonën e Lundrës, ku mbetën të plagosur katër të rinj që udhëtonin me një automjet tip G-Class. Fillimisht u raportua se shënjestra e sulmit mund të ishte një grua me inicialet A.B., e njohur si bashkëshortja e Sidorel Prendit, alias Roan Brahimi. Megjithatë, kjo pistë është rrëzuar nga grupi hetimor pas verifikimeve të fundit.

Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, kur mjeti me katër të rinjtë është qëlluar me breshëri plumbash. Vetëm pak minuta më pas, automjeti ka mbërritur në Lundër në gjendje të dëmtuar rëndë, ndërkohë që rreth 4-5 minuta më pas, kamerat kanë kapur një tjetër G-Class duke kaluar në të njëjtin itinerar. Ky mjet ende nuk është identifikuar nga autoritetet për shkak të mungesës së pamjeve të qarta që të mundësojnë dallimin e targës.

Ndërkohë, hetimet kanë verifikuar se në momentin e atentatit, A.B. ka qenë në spitalin e Lezhës, ku ndodhej vjehrri i saj, i ekzekutuar rreth një orë e gjysmë më parë. Ajo është nisur nga Tirana për në Lezhë në orën 20:15 dhe ka mbërritur në spital rreth orës 21:15. Më pas është kthyer në banesën e saj në Lundër, ku ka mbërritur në orën 23:30. Edhe në dëshminë e saj para hetuesve, ajo ka mohuar çdo lidhje me atentatin në Tiranë, duke theksuar se ishte në Lezhë për shkak të lajmit për plagosjen e vjehrrit.

Grupi hetimor është tashmë i fokusuar tek automjeti i dytë G-Class që është parë në zonë pak minuta pas atentatit. Dyshohet se objektivi i atentatit mund të ketë qenë ky mjet dhe jo ai ku udhëtonin katër të rinjtë. Hetimet vijojnë për identifikimin e makinës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button