Kosova
Kryesore

Dështimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit: Tensione, ndërprerje dhe afati kushtetues drejt fundit

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish sot, për të 51-ën herë me radhë, pa u hedhur në votim Komisioni për votim të fshehtë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, mori vendimin për ndërprerjen pas një përplasjeje me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila insistoi t’i jepej fjala në foltore.

Kjo dështim vjen vetëm tri ditë para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda këtij afati.

Ndonëse partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, me 48 deputetë, dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, me tre deputetë, kanë nisur negociata për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund bllokadës institucionale pesëmujore, ende nuk është arritur ndonjë pajtim konkret.

Vetëvendosje ka mbetur e palëkundur në qëndrimin e saj se posti i kryeparlamentarit nuk i takon një subjekti me vetëm tre deputetë, ndërkohë që Limaj ka deklaruar se nuk është i interesuar për poste tjera përveç atij të kryetarit të Kuvendit.

Në këtë klimë të paqartësisë dhe tensioneve politike, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, iu drejtua dje Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim të pasojave juridike në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues. Ajo kërkoi gjithashtu një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

“Qëllimi i kërkesës është të sqarohet se çfarë ndodh pas 26 korrikut nëse Kuvendi nuk konstituohet”, tha Osmani në një konferencë për media.

Përkundër përpjekjeve të fundit për një marrëveshje politike, institucionet e Kosovës mbeten ende të paralizuara, ndërsa vendi përballet me një krizë të thellë kushtetuese dhe institucionale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button