Deputetja Albulena Haxhiu: “Po presim, ia kemi dërguar ofertën” – Në pritje të marrëveshjes me Nismën e Fatmir Limajt

Para tentativës së 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e propozuara për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se oferta për Nismën e Fatmir Limajt është dërguar dhe po presin përgjigje.
“Po presim, ia kemi dërguar ofertën,” tha Haxhiu, duke iu përgjigjur pyetjes nëse është arritur ndonjë marrëveshje me Nismën.
Ndërkaq, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili më 19 korrik zhvilloi një takim me Fatmir Limajn për të gjetur një zgjidhje nga ngërçi institucional, nuk dha detaje nga bisedimet. Ai u shpreh se i ka bërë një ofertë direkte, por kur u pyet nëse postin e Kryeparlamentarit ia ka ofruar Limajt, Kurti tha se pret edhe biseda të tjera para se të japë më shumë informacione.
Ngërçi në përbërjen e Kuvendit vijon të thellohet, ndërsa partitë politike kërkojnë rrugëdalje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.