Deputetët sërish në Kuvend – përpjekja e 41-të për konstituim, mes përplasjeve politike dhe interpretimeve kundërthënëse të Kushtetueses

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të 41-tën herë në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re, ndërsa afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi po shkon drejt fundit. Seanca e ndërprerë që prej 15 prillit vazhdon të mbahet çdo dy ditë, por pa asnjë rezultat konkret, meqë partitë parlamentare vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme për mënyrën e votimit dhe interpretimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Aktgjykimi i shpallur një javë më parë obligon deputetët që ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, përkatësisht deri më 26 korrik. Por vendimi në vend që të ndihmojë në zhbllokimin e situatës, duket se ka shtuar edhe më shumë tensionet dhe mosmarrëveshjet mes grupeve parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje insiston se aktgjykimi lejon edhe votim të mbyllur, dhe këtë propozim po e paraqet në çdo seancë – por pa sukses. Ndërkohë, PDK, LDK dhe AAK e interpretojnë ndryshe vendimin, duke theksuar se votimi duhet të jetë i hapur dhe se ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procesit është i paligjshëm.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ndërmarrë një seri takimesh me liderët politikë për të nxitur një pajtim për rrugën përpara. Ajo u ka bërë thirrje partive që të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe interesit shtetëror, në mënyrë që konstituimi të përfundojë brenda afatit kushtetues.
Pas takimit me Presidenten, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se do të bëjnë “çmos” që Kuvendi të konstituohet brenda korrikut. Por për kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, përgjegjësia për dështimet bie mbi partinë fituese dhe kryesuesin e seancës, duke paralajmëruar se do të dërgojnë një lëndë në Kushtetuese për shkeljet që sipas tij janë bërë me qëllim dhe vetëdije në dy seancat e fundit.
“Konstituimi mund e duhet të bëhet qysh nesër në mënyrën e duhur,” tha Krasniqi, duke e konsideruar të papranueshëm shtyrjen e mëtejshme.
Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi qëndrimin e Vetëvendosjes, duke thënë se ka ndodhur përmbysje e rendit kushtetues dhe duke paralajmëruar një kërkesë të re për interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Vetëvendosje përgatitet të kërkojë interpretim për, siç tha shefja e grupit të saj parlamentar, Mimoza Kusari Lila, “mospjesëmarrjen në votim të deputetëve të partive të tjera shqiptare”.
Kusari Lila tha se “aktgjykimi i fundit jo vetëm që nuk i ka sqaruar, por i ka komplikuar rrethanat” dhe se për këtë arsye kërkohet sqarim i mëtejshëm nga Gjykata Kushtetuese.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kritikoi vendimin e fundit të Kushtetueses si “të ndrojtur” dhe të paplotë. Ai tha se opozita ka bazë për një ankesë të re dhe se vetë Gjykata do të duhej të korrigjonte veten në një afat të shkurtër.
Përkundër përpjekjeve për dialog, Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar – dhe me afatin që skadon më 26 korrik, presioni institucional dhe publik vetëm sa po shtohet. Deputetët janë përballë një udhëkryqi politik dhe kushtetues, ku dështimi për të konstituuar Kuvendin rrezikon të fusë vendin në një krizë të re institucionale.