Osmani vazhdon përpjekjet për zgjidhje të ngërçit politik – takime edhe sot me liderë politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të vazhdojë sot serinë e takimeve me liderët e partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin aktual në Kuvendin e Kosovës.
Pas takimeve të djeshme me kryetarët e partive kryesore parlamentare – Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Osmani do të presë sot në takim edhe përfaqësues të tjerë politikë.
Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, ka konfirmuar se ka marrë ftesë për takim me presidenten, i cili është paraparë të zhvillohet sot nga ora 09:00. Po ashtu, edhe deputetja boshnjake Duda Balje ka konfirmuar se është ftuar për takim ditën e enjte.
Sipas një komunikate të Presidencës pas takimeve të së mërkurës, Osmani u ka bërë thirrje liderëve politikë që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kriza institucionale në vend ka thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet partive politike, ndërsa takimet e ndërmarra nga Presidentja synojnë t’i japin fund kësaj situate përmes dialogut dhe konsensusit politik.