Kosova

Deputetët diskutojnë krizën institucionale: “Demokracia në sprovë – A është konsensusi zgjidhja?”

Në mungesë të funksionimit të Kuvendit dhe në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri më 8 gusht, deputetë nga partitë kryesore politike u zhvendosën në një tryezë diskutimi me temën: “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në këtë debat u dhanë qëndrime të kundërta për krizën aktuale politike dhe funksionimin e institucioneve. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, tha se kompromisi është i domosdoshëm për funksionimin demokratik, por vuri theksin në mungesën e kulturës politike për të arritur atë.

“Sistemi duhet të jetë funksional dhe palët duhet t’i konformohen këtij sistemi, sepse situatat politike dhe numrat mund të ndryshojnë. Kompromisi është i vetëkuptueshëm në politikë, por kërkon kulturë”, u shpreh Kraki, duke shtuar se nuk pret që Gjykata Kushtetuese t’ua japë zgjidhjen forcave politike.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi situatën si një grusht shtet dhe akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për rrënimin e kulturës së konsensusit që, sipas saj, ka karakterizuar momentet kyçe të shtetndërtimit në Kosovë.

“Ndryshe nga sa u tha, shteti nuk është në pauzë – është në krizë të thellë institucionale. Qeveria ka uzurpuar zyrat, përkundër vendimeve të Gjykatës Supreme. Konsensusi që ka qenë themel i të gjitha vendimeve historike është shkatërruar pikërisht nga VV-ja”, deklaroi Çitaku.

Ajo shtoi se mungesa e funksionalitetit institucional po i kushton shtetit me dhjetëra miliona euro humbje dhe po prek drejtpërdrejt qytetarët e bizneset.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e quajti këtë situatë vetëgrushtshtet, duke e akuzuar partinë në pushtet për uzurpim të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Po përballemi me një vetëgrushtshtet. Partia në pushtet po përpiqet të qëndrojë vetëm në pushtet, përkundër vullnetit të qytetarëve dhe nevojës për bashkëpunim institucional”, theksoi Bajrami.

Ndërkohë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë vendimtar për rrjedhën e mëtejshme të zhvillimeve politike në vend, ndërsa ngërçi institucional ka shkaktuar bllokadë në funksionimin normal të Kuvendit dhe të institucioneve qendrore.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button