Lajme

Denoncimi i PD në Mirditë: Infermier pensionist punësohet në mënyrë të paligjshme për blerje votash

Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në zgjedhjet e 11 majit, Aleksandër Lala, ka ngritur një akuzë të rëndë ndaj pushtetit lokal dhe qeverisjes së Rilindjes, duke denoncuar një rast të dyshuar të manipulimit zgjedhor në Mirditë.

Në një postim të bërë në rrjetin social Facebook, Lala pretendon se në Spitalin e Mirditës është punësuar në mënyrë të paligjshme një infermier i dalë në pension, me qëllim blerjen e votave dhe ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve. Sipas tij, ky veprim përbën një akt kriminal dhe një fyerje të rëndë ndaj banorëve të zonës.

“Kjo nuk është thjesht një çështje administrative – është një dëshmi e qartë e degradimit të pushtetit dhe e manipulimit të zgjedhjeve përmes përdorimit të burimeve publike për interesa partiake,” u shpreh Lala.

Ai kërkon reagim të menjëhershëm nga organet ligjzbatuese dhe ndërhyrje të SPAK për të ndalur praktika të tilla që, sipas tij, minojnë integritetin e procesit zgjedhor.

“Vota e qytetarëve nuk është plaçkë që blihet me vende pune! PD do të qëndrojë në krah të qytetarëve dhe do të luftojë çdo përpjekje për të deformuar zgjedhjet,” përfundon reagimin e tij Aleksandër Lala.

Për momentin, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet lokale apo qeveritare lidhur me këto akuza.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button