Dënohet me 8 vite e 9 muaj burg shqiptari në Britani, kapet në laborator kokaine në Birmingham

Një shtetas shqiptar është dënuar me 8 vite e 9 muaj burg nga drejtësia britanike, pasi u kap në një laborator droge në qendër të Birminghamit. Lorenc Lika, 41 vjeç, u arrestua më 25 shkurt nga policia britanike në një apartament në rrugën Bell Barn Road, ku autoritetet zbuluan një laborator të pajisur plotësisht për prodhimin e kokainës.
Gjatë kontrollit fizik të apartamentit, hetuesit gjetën një sërë pajisjesh të përdorura për përpunimin dhe paketimin e substancave narkotike. Mes provave të sekuestruara ishin edhe sasi kokainë si dhe një armë zjarri, konkretisht një pistoletë, e cila ishte fshehur në një kuti bizhuterish.
Gjykata e Birminghamit shpalli vendimin më 24 prill, duke e shpallur Likën fajtor për prodhim dhe posedim droge me qëllim shpërndarjeje, si dhe armëmbajtje pa leje.
Dënimi i tij vjen si pjesë e një operacioni më të gjerë të policisë britanike për të goditur rrjetet kriminale që veprojnë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.