Delvinë nën zjarr: Forcat e emergjencës të rraskapitura pas ditësh të tëra luftë me flakët

Mëngjesi i sotëm zbuloi një situatë kritike në qytetin e Delvinës, ku dhjetëra ushtarë dhe zjarrfikës u gjetën të shtrirë përtokë në rrugë, stola dhe bordura, të rraskapitur dhe fizikisht të paaftë për të përballuar orët e shumta pa gjumë, ndërsa përpiqeshin të kontrollonin flakët që kërcënojnë banesat dhe infrastrukturën e qytetit.
Forcat e angazhuara në shuarjen e zjarreve kanë punuar për ditë të tëra pa pushim, disa prej tyre pa fjetur për 48 orë rresht, ndërsa disa luftojnë me vatrat e zjarrit çdo ditë prej 3-4 javësh. Shumë prej tyre kanë veshje të dëmtuara nga nxehtësia dhe flakët, me shenja në trup dhe fytyrë, shpesh pa mundësi të ushqehen dhe hidratojnë si duhet.
Ushtarët dhe zjarrfikësit kanë ngjitur edhe terrene shumë të pjerrëta për të bllokuar flakët, ndërsa mes tyre janë edhe të rinj 18-20 vjeç, të dehidratuar dhe të rraskapitur. Ekspertët e emergjencës bëjnë thirrje që banorët të ndihmojnë kryesisht me ujë dhe ushqim, duke shmangur përpjekjet për të rezistuar ndaj flakëve, pasi kjo rrit rrezikun për jetën e tyre dhe vështirëson punën e forcave të emergjencës.
Situata mbetet kritike dhe forcat e emergjencës vijojnë përpjekjet për të kontrolluar zjarrin dhe për të mbrojtur qytetin.