Kosova

Delegacioni i Policisë së Kosovës merr pjesë në Konventën e Shefave të Policive në Europol

Një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës ka marrë pjesë në Konventën Vjetore të Shefave të Policive, e cila u mbajt më 23 dhe 24 shtator 2025 në selinë e Europol-it në Hagë. Delegacioni u udhëhoq nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti, dhe përfshinte drejtues të departamenteve për Hetime, Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar dhe zyrtarin ndërlidhës të Kosovës në Europol.

Konventa, e organizuar nga Europol-i dhe Presidenca Daneze e Bashkimit Evropian, mblodhi përfaqësues nga vendet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat e reja të sigurisë dhe mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

Në fokus të diskutimeve ishin çështje si krimi i organizuar ndërkombëtar, lufta kundër trafikimit të narkotikëve, pastrimi i parave, keqpërdorimi i shërbimeve financiare digjitale, si dhe format e reja të krimit financiar.

Gjatë konventës, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi takime bilaterale me përfaqësues të lartë të policive partnere dhe institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare, duke diskutuar për sigurinë rajonale dhe globale, format inovative të bashkëpunimit policor dhe shkëmbimin e përvojave më të mira për forcimin e profesionalizmit dhe kapaciteteve të organizatave policore.

Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë ngjarje nënvizon angazhimin e saj për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përballuar sfidat e sigurisë në nivel global.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button