Deficiti tregtar i Kosovës rritet me 21.2% në shtator 2025 – eksportet mbulojnë vetëm 14.1% të importeve

Kosova ka shënuar rritje të deficitit tregtar gjatë muajit shtator 2025, duke arritur në 520,5 milionë euro, që përbën një rritje prej 21.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, kur deficiti ishte 429,4 milionë euro, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Të dhënat tregojnë se eksportet mbulojnë vetëm 14.1% të importeve, duke reflektuar një pabarazi të madhe tregtare.
Në shtator 2025, eksportet e mallrave arritën në 85,8 milionë euro, me një rritje prej 10.7% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa importet u rritën me 19.6%, duke arritur në 606,2 milionë euro.
Grupet kryesore të mallrave
Në strukturën e eksporteve, dominuan:
Metalet bazë dhe artikujt prej tyre – 19.1%
Plastika dhe goma – 12.5%
Produktet minerale – 12.4%
Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani – 11.5%
Artikujt e ndryshëm të prodhuar – 9.5%
Ndërsa në importe mbizotëruan:
Produktet minerale – 14.6%
Makineritë dhe pajisjet elektrike – 11.3%
Metalet bazë dhe artikujt prej tyre – 11.3%
Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani – 11.2%
Mjetet e transportit – 10.6%
Tregtia me BE-në dhe CEFTA-në
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 28 milionë euro (32.7% e eksporteve totale), me një rritje prej 2.6%. Partnerët kryesorë ishin Gjermania (11.5%), Italia (2.9%) dhe Holanda (2.6%).
Nga BE-ja, importet arritën në 249,4 milionë euro (41.1% e totalit), me një rritje prej 17.3%, ku kryesuan Gjermania (12.7%), Italia (6.1%) dhe Polonia (3.4%).
Në tregtinë me vendet e CEFTA-s, eksportet ishin 40,6 milionë euro (47.4% e totalit), me një rritje të ndjeshme prej 21.4%.
Partnerët kryesorë:
Shqipëria – 21.4%
Maqedonia e Veriut – 11.0%
Serbia – 8.4%
Mali i Zi – 4.8%
Ndërkohë, importet nga CEFTA arritën në 87,8 milionë euro (14.5% e totalit), me një rritje prej 34.4%. Më së shumti u importua nga Maqedonia e Veriut (5.6%), Shqipëria (3.6%) dhe Serbia (3.5%).
Tregtia me vendet e tjera
Eksportet e Kosovës me vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s ishin 17,1 milionë euro (19.9%), ku u dalluan Zvicra (11.0%) dhe Turqia (3.7%).
Ndërsa importet nga këto vende arritën në 269 milionë euro (44.4%), kryesisht nga Kina (15.6%) dhe Turqia (12.8%).



