Policia bastis lokal në Vushtrri: Dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

Policia e Kosovës ka zhvilluar një bastisje mbrëmjen e së enjtes në një lokal në rrugën “Blerim Zuqaku” në Vushtrri, pas dyshimeve për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bastisjes janë sekuestruar pajisje dhe mjete të ndryshme që shërbejnë për lojëra fati dhe bixhoz.
Pronari i lokalit është intervistuar nga hetuesit në cilësinë e të dyshuarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Nën dyshimin e bazuar për veprimtari të dyshimta, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh), kanë realizuar bastisje në një lokal në rrugën ‘Blerim Zuqaku’ në Vushtrri, ku zhvillohej veprimtari e kundërligjshme,” thuhet në njoftimin e policisë.



