KryesoreLajme
Kryesore

Dea Nako: Arsimi në krizë të thellë — Koalicioni ‘PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ sjell zgjidhje konkrete

Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Dea Nako, deklaroi se sistemi arsimor në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë që rrezikon të ardhmen e brezave të rinj dhe zhvillimin e vendit. Ajo theksoi mungesën e investimeve, largimin e mësuesve të kualifikuar dhe politikat e paqarta si faktorët kryesorë që po e dëmtojnë arsimin publik.

Sipas saj, kjo krizë nuk është vetëm akademike, por edhe sociale, ekonomike dhe kombëtare. Nako bëri thirrje për një reformë të thellë dhe të ndershme që vendos në qendër nxënësin, studentin dhe mësuesin. Ajo prezantoi programin e koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i cili, sipas saj, ofron zgjidhje konkrete për arsimin. Propozimet përfshijnë rritjen e buxhetit për arsimin, akses universal në internet, përmirësim të kurrikulës kombëtare dhe mbështetje financiare për studentët.

Gjithashtu, programi parashikon praktika pune për studentët dhe mbështetje për punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Sipas saj, këto masa do t’u japin të rinjve një shans real për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre.

Nako e përmbylli deklaratën me thirrjen për të votuar Nr. 1 më 11 maj, për t’i dhënë arsimit dinjitetin që meriton.

Deklarata e plotë:

Sistemi arsimor në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë, e cila rrezikon të ardhmen e brezave të rinj dhe zhvillimin e vendit. Mungesa e investimeve në infrastrukturë, largimi masiv i mësuesve të kualifikuar, politikat arsimore të paqarta dhe mungesa e mbështetjes për studentët dhe pedagogët po e shkatërrojnë cilësinë e arsimit publik.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme pa një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë. Ne jemi dëshmitarë të një realiteti ku universitetet janë lënë në mëshirë të fatit, shkollat e mesme përballen me mungesë librash, mjetesh bazë dhe staf të specializuar, ndërsa mijëra të rinj largohen çdo vit për të kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit.

Kjo krizë nuk është vetëm akademike, ajo është sociale, ekonomike dhe kombëtare. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse një reformë të thellë, transparente dhe të ndershme në arsim, që të vendosë në qendër nxënësin, studentin dhe mësuesin.

Programi i koalicionit “ PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” , është një program konkret dhe mëse i realizueshëm, ku i jepet një fokus i vecantë arsimit për ta cuar në nivelet që duhet dhe për t’ju dhënë të rinjve shqiptarë arsimimin që ata meritojnë.

Ne propozojmë:

Rritje të buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së, sepse nuk mund të ketë arsim cilësor pa investime serioze.
Akses 100% në internet në shkolla, për të siguruar që çdo nxënës dhe mësues të ketë mjetet moderne të nevojshme për mësimdhënie dhe zhvillim.
Një kurrikulë të fortë kombëtare, që forcon gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare, sepse identiteti ynë kombëtar duhet të jetë themeli i edukimit.
Përgjysmim të tarifave të studimit dhe ulje të kostos së jetesës për studentët, që asnjë i ri të mos e lërë shkollën për arsye ekonomike.
Praktika të detyruara pune për studentët, për t’i afruar me tregun e punës dhe për t’u dhënë përvojën e nevojshme që të jenë të gatshëm për sfidat e së nesërmes.
Mbështetje për punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç, që ata të kenë një shans real për të ndërtuar një jetë të sigurt në Shqipëri.
Ngritjen e qendrave të sipërmarrjes dhe inkubatorëve të biznesit, për të nxitur startup-et dhe inovacionin, sepse e ardhmja jonë varet nga kreativiteti dhe guximi i të rinjve tanë.

Është koha për veprim. Është koha për t’i dhënë arsimit dinjitetin që i takon.
Më 11 Maj, i japim përgjigjen që meriton kësaj qeverie , duke votuar Nr. 1, “PD – ASHM”.
Faleminderit!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button