Bota

CNN: Aleati i Putinit në Ballkan, Millorad Dodik, në udhëkryq në Bosnje e Hercegovinë

Mediumi prestigjioz amerikan CNN i ka kushtuar sot një analizë të gjatë politikanit serb të Bosnjës dhe një prej aleatëve kryesorë të Vladimir Putinit në Ballkan, Millorad Dodik, i njohur për mohimin e gjenocidit dhe veprimet destabilizuese në rajon.

Në artikull, CNN vë në pah ngjarjet e fundit në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë dënimin dhe deçertifikimin e Dodikut nga Komisioni Qendror Zgjedhor i vendit, duke e përshkruar atë si “një aleat i Putinit në një shtet të vogël evropian, që po mbetet pa rrugëdalje”.

Arminka Helić, anëtare e Dhomës së Lordëve në Britani, e cila vetë u largua nga luftërat e viteve 1990, tha për CNN se “që nga viti 2006, Dodik ka bërë çdo përpjekje për të dobësuar institucionet e Bosnjës dhe për ta zbrazur shtetin nga brenda”.

“Nuk mendoj se ai do të pranojë në heshtje, pas të gjitha kërcënimeve dhe zhurmës që ka shkaktuar”, tha Helić, duke shtuar se “pyetja tani është nëse Dodik do të largohet vullnetarisht apo do të luftojë për të qëndruar”.

Sipas CNN, Dodik ka kërcënuar të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja – edhe me forcë nëse duhet – dhe po kërkon mbështetje nga aleatët e tij në Beograd, Moskë dhe Budapest.

Vendimi i autoriteteve zgjedhore kundër Dodikut do të hyjë në fuqi pas skadimit të periudhës së apelimit, dhe zgjedhjet e parakohshme pritet të shpallen brenda 90 ditëve. Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do ta zbatojë vendimin nëse Dodik refuzon të japë dorëheqjen ose pengon procesin.

CNN gjithashtu përmend se edhe pse Bashkimi Evropian ka zgjeruar forcën e tij paqeruajtëse në mars, trupat nuk ndërhynë për të ndaluar Dodikun, edhe kur për të ishte lëshuar urdhër arresti në fillim të këtij viti.

Jasmin Mujanović, bashkëpunëtor i lartë në Institutin New Lines, tha për CNN se Bosnja dhe autoritetet evropiane përballen me një “provë të madhe” nëse Dodik përpiqet të qëndrojë në pushtet.

“Nëse nuk mund të merresh me njerëz si Milorad Dodik, të paktën nga perspektiva e BE-së, nuk ke të drejtë të flasësh për konkurrencë me udhëheqës si Xi Jinping apo Vladimir Putin,” theksoi Mujanović.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button