Çmimet e qirave dhe kafesë rriten ndjeshëm, presion mbi familjet shqiptare

Çmimet e qirave, pijet joalkoolike dhe shërbimet e kafeneve kanë njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke vendosur një barrë të konsiderueshme mbi buxhetet e familjeve shqiptare, sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it.
Qiratë për banesat janë rritur vazhdimisht që nga viti 2021 dhe ky trend ka vijuar deri në mes të vitit 2025. Në periudhën janar 2023 – korrik 2025, rritja ka qenë e qëndrueshme, me norma mujore që shpesh arrijnë 3-5% në bazë vjetore. Vetëm në muajin korrik 2025, ndryshimi vjetor i çmimit të qirasë arriti 5.4%, krahasuar me 0.9% në shkurt 2025.
Sipas ekspertëve, presioni mbi familjet shqiptare është më i lartë në zonat urbane, ku kërkesa për banesa me qira mbetet e madhe për shkak të urbanizimit dhe fluksit të lartë të turistëve. Një faktor kyç është edhe rritja e qirave afatshkurtra, që heq apartamente nga tregu i qirave afatgjata për familjet vendase.
Në kryeqytet, sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, qiratë për apartamente 1+1 fillojnë nga 330-400 euro/muaj në zonën e Freskut dhe arrijnë deri në 800 euro/muaj në zonat e ish-Bllokut dhe Stadiumit Air Albania. Për apartamente 2+1, çmimet fillojnë nga 550 euro dhe mund të shkojnë deri në 1,300 euro/muaj.
Edhe çmimet e kafesë dhe shërbimeve në kafene janë rritur ndjeshëm, me një mesatare rritjeje prej 6% në korrik 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Kjo rritje lidhet kryesisht me kostot në rritje të pagave të stafit dhe çmimet e importit të kafesë, por frekuentimi i kafeneve mbetet i lartë, duke treguar se pjesa më e madhe e shqiptarëve vazhdojnë ta konsiderojnë kafeneja pjesë të kulturës së tyre.
Edhe çmimet e mbulesave të dyshemesë kanë shënuar rritje, mesatarisht 6.7% në korrik 2024, nga 2.9% një vit më parë.
Pavarësisht se inflacioni i përgjithshëm ka filluar të bjerë krahasuar me kulmin e vitit 2022, çmimet nuk po kthehen në nivelet e mëparshme, duke u bërë një barrë e përhershme për konsumatorët shqiptarë.