CDU fiton në Renani Veriore-Vestfali, AfD rritet, SPD dhe Të Gjelbrit zhgënjejnë

Pas zgjedhjeve lokale në landin më të populluar të Gjermanisë, Renani Veriore-Vestfali (NRW), CDU ruan kryesimin, ndërsa Të Gjelbrit dhe SPD pësuan humbje. Në anën tjetër, AfD feston rritjen e elektoratit të saj.
Zgjedhjet në NRW u konsideruan një test politik i parë për qeverinë e koalicionit konservator-socialdemokrat nën kancelarin Friedrich Merz (CDU), pas zgjedhjeve federale të parakohshme në shkurt. Jens Spahn, kreu i grupit parlamentar të CDU-së, u shpreh i kënaqur me rezultatin: “Rezultati i fortë në NRW është shpërblimi për punën e mirë të bërë në nivel lokal. Por gjithashtu i jep një shtysë koalicionit në Berlin.”
Megjithatë, rritja e AfD-së në perëndim ka ngritur shqetësime mes partive të tjera. Hendrik Wüst, kryeministri i landit nga CDU, tha: “Ky rezultat duhet të na bëjë të mendojmë pak dhe nuk mund të na lërë të flemë të qetë. As partinë time, e cila i fitoi këto zgjedhje kaq qartë.”
SPD shpreh zhgënjimin dhe nevojën për reflektim. Kryetarja Bärbel Bas tha: “Është e vërtetë që nuk ishim në gjendje ta ndalonim trendin në rënie. Rezultatet, sigurisht, nuk më bëjnë të lumtur. Duhet të pyesim veten, si të dalim nga kjo gjendje.” Ajo theksoi se rritja e AfD-së duhet të jetë shqetësim për të gjitha partitë demokratike dhe se SPD duhet të fokusohet tek politikat për punëtorët. Bashkëkryetari Lars Klingbeil shtoi se situata ekonomike mbetet çështja më emergjente për votuesit.
Të Gjelbrit pësojnë rënie të ndjeshme. Bashkëkryetari Felix Banaszak e shpjegoi performancën e dobët të partisë me një ndryshim themelor politik: “Politikat ekologjike dhe progresive po kalojnë një kohë të vështirë tani.” Ai shpreson që partia të fitojë pikë në zgjedhjet për kryetar bashkie.
AfD feston rritjen e votave. Bashkëkryetari Tino Chrupalla e quajti performancën e partisë së tij një sukses të madh, duke theksuar se AfD tani renditet e treta me më shumë se 15% të votave.
Edhe Partia E Majta reagoi me entuziazëm. Kryetari Jan van Aken e quajti rezultatin një fitore shprese dhe theksoi se partia do të jetë më prezente në këshillat e rretheve në të gjitha nivelet.