Bota

Britania dhe NATO patrullojnë kufirin me Rusinë pas shkeljeve ajrore nga Moska

Britania ka njoftuar se dy avionë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) zhvilluan një mision 12-orësh në fillim të kësaj jave, në bashkëpunim me forcat amerikane dhe aleatët e NATO-s, për të patrulluar përgjatë kufirit me Rusinë.

Ky operacion u krye pas disa shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore të NATO-s nga dronë dhe avionë rusë.

“Misioni i përbashkët me SHBA-në dhe NATO-n ishte i një rëndësie të madhe”, deklaroi ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey. “Ai siguron informacione të vlefshme për rritjen e ndërgjegjësimit operacional të Forcave tona të Armatosura dhe dërgon një mesazh të qartë se NATO është e bashkuar përballë Putinit dhe kundërshtarëve tanë.”

Në mision morën pjesë një avion vëzhgues elektronik RC-135 Rivet Joint dhe një avion patrullimi detar P-8A Poseidon, të cilët fluturuan nga rajoni Arktik përgjatë Bjellorusisë dhe Ukrainës, të mbështetur nga një avion furnizues amerikan KC-135.

Sipas njoftimit të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, patrullimi pason një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore të disa vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Estoninë.

Më herët këtë muaj, udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbështetën planet për forcimin e mbrojtjes së bllokut ndaj dronëve rusë.

/REL/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button