Lajme

Bloomberg rrëzon propagandën e qeverisë: Samiti në Tiranë, jo për integrimin, por për emigracionin

Media e njohur amerikane Bloomberg ka rrëzuar narrativën zyrtare të qeverisë shqiptare mbi Samitin e Komunitetit Politik Europian që po mbahet sot në Tiranë. Ndryshe nga ajo që është promovuar në Shqipëri si një dëshmi mbështetjeje për integrimin europian të vendit, Bloomberg thekson se në fokusin e samitit do të jetë çështja e emigracionit.

“Emigracioni do të jetë në qendër të agjendës në samitin e sotëm të Komunitetit Politik Europian në Tiranë,” raporton Bloomberg, duke shtuar se në takim do të marrin pjesë liderë të rëndësishëm si Friedrich Merz nga Gjermania, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryetari i Laburistëve britanikë Keir Starmer dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Përveç emigracionit, diskutimet do të prekin edhe luftën e Rusisë në Ukrainë dhe strategjitë për të rritur konkurrueshmërinë e kontinentit.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka tentuar të paraqesë këtë samit si një dëshmi e përparimit drejt integrimit europian dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Por sipas analizës së Bloomberg, realiteti është më kompleks dhe i lidhur drejtpërdrejt me interesat e vendeve të mëdha europiane për menaxhimin e krizës së emigracionit.

Kujtojmë se Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në Europë, dhe në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë po shihet nga liderët europianë si një destinacion për strehimin e emigrantëve të padëshiruar në vendet e tyre. Kjo qasje ngre pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e sovranitetit dhe drejtësisë sociale në vend.

Në një kohë kur qytetarët presin hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE, duket se axhenda reale e liderëve europianë në Tiranë është e lidhur më shumë me krizën e emigracionit sesa me integrimin e Shqipërisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button