Arrestohet autori i dhunës ndaj sekretarit të KZAZ nr. 30 në Tiranë – një tjetër person shpallet në kërkim

Policia e Tiranës ka arrestuar Rei Nozllin, 26 vjeç, i cili u përfshi në një konflikt të dhunshëm ditën e djeshme (15 maj) në ambientet e KZAZ nr. 30 në Yrshek, ku u dhunua sekretari i kësaj qendre, Remzi Memedi, përfaqësues i Partisë Demokratike.
Ngjarja ndodhi gjatë mesditës, teksa Nozlli, vëzhgues i Partisë Socialiste dhe mbështetës i kandidatit Ornaldo Rakipi, u konfliktua fizikisht me Memedin. Pamjet e siguruara nga Syri TV tregojnë qartë momentin kur Nozlli e godet Memedin me shkelm dhe grushte.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, përveç arrestimit të Rei Nozllit, është shpallur në kërkim edhe shtetasi O. D., 40 vjeç, i dyshuar si i përfshirë në këtë përplasje. Policia vijon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Gjithashtu, në një rast tjetër të ndodhur në Tiranë, është referuar materiali në Prokurori për shtetasin M. V., 28 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur për motive të dobëta një 39-vjeçar. Procedimi për të është nisur në gjendje të lirë.
Policia ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë gjatë procesit zgjedhor dhe ka theksuar se do të veprojë me forcë ndaj çdo akti dhune që cënon mbarëvajtjen e procesit demokratik.