Bllokada në Kuvendin e Kosovës tërheq vëmendjen e mediave botërore – Frankfurter Rundschau: Kurti pa gatishmëri për kompromis

Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës ka filluar të tërheqë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze gjermane Frankfurter Rundschau ka publikuar një artikull të gazetarit Thomas Roser, ku faji për situatën e krijuar i atribuohet pjesërisht edhe kryeministrit në detyrë dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në këtë shkrim, Roser thekson mungesën e gatishmërisë për kompromis nga ana e Kurtit dhe ngërçin e vazhdueshëm institucional, i cili ka pamundësuar për më shumë se gjashtë muaj miratimin e ligjeve, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe plotësimin e pozicioneve udhëheqëse në institucionet shtetërore.
Gazeta përmend gjithashtu protestën e organizuar para disa ditësh nga avokati Arianit Koci, ku ishin përdorur gomarë si simbolikë e mënyrës se si qytetarët po ndihen të trajtuar nga përfaqësuesit politikë. “Njerëzit po trajtohen si gomarë nga përfaqësuesit e tyre”, citohet Koci në artikull.
Sipas Frankfurter Rundschau, pasojat ekonomike të bllokadës tashmë kanë filluar të ndihen: inflacioni ka arritur në 4.3 përqind në muajin qershor, niveli më i lartë në dy vitet e fundit, ndërkohë që vendi mbetet pa buxhet dhe pa vendime të rëndësishme ligjore.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Vetëvendosje doli partia më e madhe me rreth 42% të votave, por nuk arriti të sigurojë shumicën absolute. Kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit është kontestuar nga opozita për shkak të qëndrimeve të saj polarizuese. Pavarësisht gjashtë dështimeve për të siguruar 61 votat e nevojshme, Vetëvendosje nuk ka ofruar alternativë tjetër për këtë post.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur afatin e 28 korrikut si kufi për përmbushjen e obligimeve nga ana e Kuvendit. Deri atëherë, parlamenti duhet të konstituohet në mënyrë që të hapet rruga për vendime të tjera politike, përfshirë mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, sot në orën 11:00, do të zhvillohet tentativa e 47-të për konstituimin e Kuvendit – një përpjekje që mbetet pezull midis shpresës dhe skepticizmit.