Kosova

Zyrtari i Qendrës për Regjistrim Civil arrestohet për marrje ryshfeti – dyshohet se kërkoi përfitime për shërbim zyrtar

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e një zyrtari publik nën dyshimin për veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Gazeta Insajderi mëson nga burime të besueshme se personi i arrestuar është Imer Sllamniku, i cili punonte në Qendrën për Regjistrim Civil. Ai është ndaluar për 48 orë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, Sllamniku dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar përfitime pasurore në këmbim të ofrimit të një shërbimi zyrtar. Rasti është trajtuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar një zyrtar publik (Qendra e Regjistrimit Civil), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Marrje ryshfeti’, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.

Hetimet ndaj zyrtarit të dyshuar janë në fazën fillestare, ndërsa organet kompetente kanë paralajmëruar vazhdimin e procedurave ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button