Biden përgëzon Trumpin për planin e Gazës: “I dha fund ferrit të paimagjinueshëm”

Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka përgëzuar pasardhësin e tij, Donald Trump, për arritjen e marrëveshjes së re për Gazën, duke thënë se ajo i dha fund “ferrit të paimagjinueshëm” të 20 pengjeve të fundit që mbaheshin nga Hamasi dhe solli një mundësi të re për paqe në rajon.
“Jam thellësisht mirënjohës dhe i lehtësuar që ka ardhur kjo ditë – për 20 pengjet e fundit që kanë kaluar nëpër një ferr të paimagjinueshëm dhe më në fund janë ribashkuar me familjet dhe të dashurit e tyre, si dhe për civilët në Gaza që kanë përjetuar humbje të pamatshme dhe më në fund do të kenë mundësinë të rindërtojnë jetën e tyre”, shkroi Biden në rrjetin X.
Ai tha se rruga drejt kësaj marrëveshjeje “nuk ishte e lehtë”, duke theksuar se administrata e tij kishte punuar pa pushim për të siguruar lirimin e pengjeve, për të ofruar ndihmë për civilët palestinezë dhe për t’i dhënë fund luftës.
“Përgëzoj Presidentin Trump dhe ekipin e tij për punën e tyre për të çuar drejt finishit një marrëveshje të re të armëpushimit”, shtoi ai.
Sipas Bidenit, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të botës, Lindja e Mesme “është në rrugën e paqes që shpresoj të zgjasë dhe që do t’u ofrojë izraelitëve dhe palestinezëve një të ardhme me masa të barabarta paqeje, dinjiteti dhe sigurie”.
Gjatë presidencës së tij, demokrati Biden furnizoi Izraelin me sasi të mëdha armësh që u përdorën në ofensivën ndaj Gazës, ku u vranë dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë shumë civilë, shkruan The Guardian.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar gjithashtu Izraelit mbështetje të fortë diplomatike, që ka ndihmuar kryeministrin Benjamin Netanyahu të vazhdojë luftën që shumë juristë e kanë cilësuar si gjenocid.
Nga ana tjetër, Trump ka kritikuar rregullisht Bidenin, veçanërisht për politikat e jashtme, duke e quajtur atë “presidentin më të keq në historinë e SHBA-së”.



