
Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot të Dielën e Dafinave, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar, që përkujton hyrjen triumfale të Jezu Krishtit në Jerusalem, pak ditë para kryqëzimit dhe ngjalljes së Tij.
Predikimi qendror u mbajt nga Fortlumturia e Tij, Johan Pelushi, në Kishën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Ai theksoi se 40 ditët e Kreshmës së Madhe kanë përfunduar të premten në darkë, dhe se tani Kisha hyn në një periudhë edhe më të thellë shpirtërore – Javën e Madhe.
“Kanë përfunduar teknikisht 40 ditët e Kreshmës, dhe tani qëndrojmë në prag të dy festave të mëdha që i paraprijnë Javës së Madhe. Të shtunën u përkujtuam me ngjalljen e Llazarit – një profeci e gjallë për ngjalljen e të gjithëve. Ndërsa sot, përjetojmë hyrjen e Krishtit në Jerusalem, si fitimtar, për të na shpëtuar me kryqëzimin dhe ngjalljen e Tij,” u shpreh Fortlumturia e Tij.
Ai nënvizoi se në Kishën Ortodokse, çdo ngjarje e shenjtë nuk është thjesht një kujtim historik, por një përjetim i tanishëm shpirtëror. “Në festat e mëdha përsëritet gjithmonë diçka: sot ngjallet Llazari, sot vjen Krishti, sot lindi Krishti. Sepse Zoti nuk e lë asnjë ngjarje vetëm në të shkuarën – Ai e bën të tanishme dhe të gjallë për ne,” theksoi ai.
Me Dielën e Dafinave nis Java e Madhe, periudha më e rëndësishme e vitit për besimtarët ortodoksë, që kulmon me Pashkën – festën e Ngjalljes së Krishtit.