Besart Xhaferri kritikon qeverinë: “Rama zgjodhi PPP-të korruptive, jo qytetarët”

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Besart Xhaferri, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes 12-vjeçare të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për favorizim të interesave klienteliste në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Në një postim në Facebook, Xhaferri ka deklaruar se investimet gjatë këtyre viteve janë përqendruar në projekte të dyshimta si “Rilindja Urbane” dhe partneritetet publike-private (PPP), të cilat, sipas tij, kanë përfituar një grusht individësh të lidhur me pushtetin.
“Harruam njeriun për PPP-të e Vilma Nushit dhe Rilindjen Urbane të qyteteve fantazëm”, shkruan ai, duke akuzuar qeverinë se ka lënë pas dore qytetarët dhe ka kontribuar në rritjen e eksodit.
Xhaferri premton se pas datës 11 maj, prioriteti i forcës politike që ai përfaqëson do të jetë investimi në kapitalin njerëzor, përmes përmirësimit të kushteve të jetesës dhe zhvillimit të individit.