Berisha: Shqipëria po shndërrohet në shtet narkotik, kërcënimi më i madh për shqiptarët është droga

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kërcënimi më i madh ekzistencial për shqiptarët është droga dhe rreziku që vendi të shndërrohet në një “shtet narkotik”.
Në një fjalim para grupit të PPE në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, Berisha denoncoi presionin e qeverisë ndaj mediave, duke kujtuar rastin kur një televizion kritik ndaj qeverisë u rrethua nga policia dhe ushtria, ndërsa kompjuterët me dosje kundër ministrave u sekuestruan. Ai theksoi se edhe sot, pavarësisht vendimit të gjykatës, ky televizion nuk është rikthyer në ambientet e veta.
Lideri demokrat akuzoi qeverinë edhe për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Parlamentit, pasi programi katërvjeçar i qeverisë u votua në vetëm 28 minuta, pa debat. “Të drejtat kushtetuese të deputetëve nuk respektohen aspak”, tha Berisha.
Ai ngriti shqetësime edhe për instalimin e një sistemi të gjerë përgjimi dhe censurë në internet, duke përmendur rastin e bllokimit të TikTok-ut, si dhe për ndërhyrjet e kryeministrit në pushtetin vendor. “Kryeministri sillet si një emir që shkarkon kryebashkiakë sipas dëshirës, duke eliminuar autonominë vendore”, u shpreh ai.
Berisha foli edhe për lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës, duke iu referuar antimafias italiane, e cila sipas tij ka zbuluar një takim në Aruba mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe bosëve të drogës, për të investuar paratë e tyre në Shqipëri. Ai solli në vëmendje edhe të dhënat që tregojnë rritje të lartë të ndërtimit në vend, ndërsa industria dhe bujqësia janë në rënie.
Sipas tij, kartelet shqiptare të drogës tashmë luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e çmimeve të kokainës në Europë. “Vetëm dy persona u gjetën se kishin trafikuar 28 ton kokainë nga Paraguai në Roterdam dhe Belgjikë”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi se një Shqipëri e shndërruar në shtet narkotik nuk është vetëm një kërcënim për vendin, por edhe për rajonin dhe Europën.



