KryesoreLajme
Kryesore

Berisha prezenton paketën e dhembshurisë dhe rritjen e pensioneve, fokusi në rritjen e rrogave dhe shëndetësinë

Gjatë prezantimit të programit ‘Shqipëria Madhështore’, në njësinë nr. 5 në Tiranë, kreu i PD-së, Sali Berisha ka shpallur edhe njëherë projektin e tij të Paketës së Dhembshurisë dhe për indeksimin e përvitshëm të pensioneve, të cilët do të njohin një rritje prej 20%.

‘Çdo rrogëulët, çdo pensionist, çdo njeri në ndihmë ekonomike apo i papunë që merr më pak se 200 euro, do ketë kartën e konsumatorit. Do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë, pa TVSH.
E kishim me shëndetësinë. Ne do i japim një përgjigje shumë të fortë kësaj gjendje katastrofike.

Ne do garantojmë çdo qytetar shqiptar, së pari asnjë ilaç që nuk tregohet në dy vende të BE, nuk do futet në Shqipëri. Vilma Nushi dhe Tom Doshi do dyllosen.

Së dyti, lista e ilaçeve, që shteti social italian u rimburson qytetarëve të vet, do jetë lista e ilaçeve që shteti shqiptar do u rimbursojë qytetarëve të saj’, deklaroi kryedemokrati, Sali Berisha.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Pra është krijuar një situatë që pret zgjidhje nga ne.

Dhe u them ju se ne kemi absolutisht programin më të mirë që kemi pasur ndonjëherënë historinë tonë.

Nga do e nisim? Ku e bazojmë ne këtë program? Ne e bazojmë në radhë të parë në detyrimin madhor moral që t’ua kthejmë paratë e taksave ju që paguani taksat.

Kjo do të thotë që buxheti i shtetit, i tëri është produkt i taksave të qytetarëve, do ndajë një pjesë thelbësore për qytetarët, për rroga dhe pensione. Po, shumë e thjeshtë.

U garantoj se në traktatet e pashpirtësisë, do përcillet në të gjitha kohërat deklarata e Edi Ramës kur i mburrur se kam përpara një buxhet 8 miliardë, më të madhin që ka pasur Shqipëria, po për 760 mijë pensionistë do japë 16 milionë euro.

Nuk mund të ketë pashpirtësia, shpërfillja, por edhe poshtërimi një dëshmi më të shëmtuar se kjo.

Dhe se në qoftë se veprojmë ndryshe, biem në humnerë. Nuk dua të prish gjuhën time me të, se ai meriton çdo cilësor në këtë rast, një njeri me aftësi mizerabël, një njeri që shkruante në dorë si nxënës kopjac ato që do lexonte…

Por të thuash një gjë të tillë, do të thotë që ti nuk ke asnjë nocion as për buxhetin, as për taksat, as për njeriun, as për dinjitetin njerëzor.

Si qenka kjo që biem në humnerë në qoftë se 760 mijë qytetarë i lëmë të flasin me vete, i lëmë pa ilaçe, i lëmë të numërojnë kafshatën.

Dhe ka nxjerrë zëdhënësat e tij, në Shqipëri nuk vdes kush për bukë. 1 mijë herë turp për ju që thoni një fjalë të tillë.

Pse, për këtë qenka problemi? Se meqenëse nuk vdiska njeri për bukë, duhet t’i vjedhim në palcë shqiptarët.

Këta janë armiq, nuk janë njerëz.

Po pse pensionisti malazez që merrte 138 mijë lekë në vitin 2013, merr sot 450 mijë lekë? Çfarë i ndodhi Malit të Zi, asgjë, ai që ishte, është.

Por kryeministri i Malit të Zi, si çdo kryeministër tjetër, për buxhetin çdo vit thotë së pari këto do ua kthej qytetarëve.

Kjo është politika e përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.

A e dini ju se në ç’gjendje të tmerrshme është shëndetësia sot?

Para dy ditësh, instituti i statistikave të Shqipërisë, instituti zyrtari që mashtron në shumicën e statistikave, deklaronte se shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për shëndetin e tyre arrijnë në 820 milionë euro.

A e kuptoni ju? Dhe se më keq akoma, ishte mbi 20 përqind që nuk bënin dot këto shpenzime, që rrinin në kthetrat e sëmundjes.

A e dini ju që sot 10 ditët e fundit të muajit, për shkak të koncesionit Rama-Beqja dhe kësaj Korbës së Covid-it, 10 ditët e fundit në spitale nuk bëhen më analiza. Nuk ka ndodhur kurrë kjo.

Pra, çfarë janë këta? Ndaj dhe nuk ndalem më shumë në këto akte të tyre, por zotohem para shqiptarëve se paratë do ua kthejmë atyre dhe mbi bazën e këtij parimi çdo shqiptar do marrë 200 euro si minimum jetik.

Minimumi jetik është detyrim moral dhe ligjor dhe kjo shumë do indeksohet çdo vit, kjo shumë do përmirësohet çdo vit.

Në këtë mënyrë ne bëhemi një shoqëri më e drejtë, një shoqëri e cila nuk ka më njerëz në varfëri të skajshme.

Jo vetëm kaq, rroga të ulëta nën 500 euro nuk do ketë. Ne jemi parti konservatore, ne jemi parti e iniciativës së lirë, por dhembshuria njerëzore është morali ynë. Ndaj asnjë sipërmarrës nuk do mund të paguajë punonjësin nën 500 euro.

Absolutisht asnjë ndërmarrje nuk do falimentojë nga kjo sepse ne do bëjmë ulje drastike të taksave.

Çdo rrogëulët, çdo pensionist, çdo njeri në ndihmë ekonomike apo i papunë që merr më pak se 200 euro, do ketë kartën e konsumatorit. Do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë, pa TVSH.

E kishim me shëndetësinë. Ne do i japim një përgjigje shumë të fortë kësaj gjendje katastrofike.

Ne do garantojmë çdo qytetar shqiptar, së pari asnjë ilaç që nuk tregohet në dy vende të BE, nuk do futet në Shqipëri. Vilma Nushi dhe Tom Doshi do dyllosen.

Së dyti, lista e ilaçeve, që shteti social italian u rimburson qytetarëve të vet, do jetë lista e ilaçeve që shteti shqiptar do u rimbursojë qytetarëve të saj. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Nuk mund të ndodhë që t’i lësh njerëzit në kthetrat e vdekjes nga mungesa e ilaçeve dhe jo nga sëmundja.

Shqipëria mund ta bëjë këtë plotësisht dhe kur ta bëjë këtë do ndjehemi shumë më mirë, shumë më me shpresë dhe shumë më të motivuar.

Rrogat mesatare shkojnë në 1200 euro.

Rrogat e mësuesve në 1500 euro.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button