Lajme

Berisha pas daljes nga SPAK: Edi Rama do të shkojë te McGonigal – mbyllja e aferës nga Dumani është krim ndërkombëtar

Pas paraqitjes në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, kreu i opozitës, Sali Berisha, ka lëshuar një deklaratë të fortë kundër Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Berisha e ka cilësuar mbylljen e aferës McGonigal nga SPAK si “krim ndërkombëtar”.

“Aty, Dumanit të Ramës, i lashë një shënim,” tha Berisha para gazetarëve, duke shtuar se “asgjë në botë nuk do ta shpëtojë Edi Ramën nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor që kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni.”

Sipas tij, ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigal, i arrestuar dhe dënuar në SHBA, “çdo ditë nga qelia i çon mesazhe Edi Ramës: Unë vërtet i mora paratë, por ato m’i dhe ti.”

Berisha paralajmëroi gjithashtu se më 11 maj shqiptarët do të votojnë për ta dërguar Ramën “te McGonigal ndoshta javën e parë.”

Ai akuzoi qartë se mbyllja e çështjes nga Altin Dumani është bërë për të mbrojtur Kryeministrin dhe për të shmangur drejtësinë ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button