Berisha paralajmëron ofensivë politike dhe diplomatike kundër manipulimit të votës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një deklaratë të fortë gjatë një konference për shtyp në selinë e PD-së, ku foli për zgjedhjet vendore të 11 majit dhe kërkoi garanci për një proces zgjedhor të rregullt dhe të ndershëm.
Ai theksoi se vëmendja ndërkombëtare është e përqendruar tek Shqipëria, duke deklaruar: “Nuk ka më sy të mbyllur për zgjedhjet këtu. Prozhektorët e Evropës dhe miqve tanë kudo janë përqendruar në këto zgjedhje.”
Berisha bëri të ditur se PD-ja ka dorëzuar një listë me emra konkretë të personave që, sipas saj, janë përfshirë në krime zgjedhore, duke kërkuar që këto veprime të trajtohen si krime të rënda.
Ai paralajmëroi gjithashtu një ofensivë të gjerë politike dhe diplomatike ndaj, siç i cilësoi, “organizata kriminale të angazhuara në manipulimin e votës”: “Do të bëjmë çdo gjë për t’i shpallur organizata terroriste, jo vetëm në Shqipëri, por edhe duke lobuar në Evropë dhe SHBA që të konsiderohen të tilla edhe atje.”
Partia Demokratike pritet të intensifikojë përpjekjet e saj për të garantuar integritetin e zgjedhjeve dhe për të ndërgjegjësuar faktorin ndërkombëtar për shqetësimet që ka ngritur lidhur me procesin.