Berisha nga Borshi: Më 11 maj, shqiptarët të ndahen nga “kryehajduti Rama dhe shpura e tij”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar fushatën zgjedhore në Borsh, ku u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, të cilën ai e quajti “një shpurë hajdutësh”. Gjatë një bashkëbisedimi me banorët, Berisha e cilësoi propagandën e Ramës si “vulgare dhe fyese”, ndërsa theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme si vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Rama ka ardhur në këtë fushatë me një propagandë vulgare, që vetëm fyen shqiptarët. Ndaj, më 11 maj, Borshi, Bregu dhe mbarë Shqipëria duhet të ndahen nga kjo e keqe dhe të zgjedhin një projekt që ofron mundësi të reja për çdo shqiptar”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi Ramën për përdorim të batutave si një mënyrë për të maskuar mungesën e punësimeve, largimin e të rinjve dhe gjendjen e rëndë të pensionistëve. “Pas çdo batute të Ramës fshihet një akt vjedhjeje. Ai nuk krijon vende pune me humor, por përpiqet të fshehë dështimet me parodi”, theksoi lideri demokrat.
Duke përmendur disa prej çështjeve më të përfolura të qeverisë, si inceneratori i Tiranës, afera e Beketit dhe koncesioni i check-up-it, Berisha tha se pas çdo skandali qëndron Rama. “Këto nuk janë vjedhje të izoluara. Ministrat nuk vjedhin dot pa dijeninë dhe mbështetjen e kryeministrit. Këto janë vjedhje të drejtuara nga lart.”
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshimin dhe për një të ardhme më të mirë. “Fushata jonë është për një Shqipëri Madhështore. Një vend ku të rinjtë të mos largohen, pensionistët të jetojnë me dinjitet, fermerët të kenë sukses dhe bizneset të zhvillohen. Koha për ndarje nga e keqja ka ardhur,” përfundoi ai.