Lajme

Berisha në samitin e IDU në Bruksel: “Zgjedhjet në Shqipëri, një farsë në një narkoshtet!”

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mori pjesë në samitin e Unionit Ndërkombëtar Demokratik (IDU) në Bruksel, ku denoncoi ashpër procesin zgjedhor të 11 majit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “një farsë të paralajmëruar dhe të orkestruar nga një narkoshtet”.

Në fjalën e tij përpara Bordit Ekzekutiv të IDU-së, lideri i opozitës shqiptare tha se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë represioni politik të paparë më parë në vend. “Kryeministri, që sot drejton një narkoshtet të vërtetë, burgosi ose vuri nën hetim tre drejtues të opozitës, hoqi mandate dhe ushtroi presion mbi deputetë opozitarë”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se organizatat kriminale ishin në qendër të manipulimeve zgjedhore, duke siguruar mandate përmes blerjes së votave dhe terrorit elektoral. “Në zyrën e Kryeministrit është instaluar një koordinim i drejtpërdrejtë me bandat shqiptare brenda dhe jashtë vendit, të cilat sollën 28 deputetë në Parlament”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, abuzimi me fondet publike dhe përdorimi i administratës si makineri zgjedhore ishin të paprecedentë. “Pensionistëve iu dhanë 100 euro si ‘dhuratë’, u shpall amnisti për gjoba që kapnin vlerën e mbi 200 milionë eurove dhe punonjësit e administratës u detyruan të sillnin nga 10 vota secili”, shtoi ai.

Berisha akuzoi qeverinë për përdorim të kanabisit si instrument elektoral, duke shpërndarë 138 licenca për kultivim droge gjatë fushatës. “Çdo rrënjë në Shqipëri vlen rreth 1,000 euro. Kjo ishte një skemë e pastër blerjeje votash”, theksoi ai.

Lideri demokrat foli edhe për kapjen e mediave dhe censurën. “U bllokua TikTok-u për të mbytur zërin e kritikëve. Shqipëria sot renditet përkrah Kabulit dhe Teheranit për censurë digjitale”, theksoi ai, duke përmendur edhe financimin me 7 milionë euro të një eventi sportiv si propagandë ditën e zgjedhjeve.

Duke përfunduar fjalimin e tij, Berisha kërkoi mbështetje të fortë nga partnerët ndërkombëtarë. “Zgjedhjet ishin farsë. Pa ndihmën tuaj, shqiptarët nuk do të mund të votojnë të lirë. Emigrimi masiv i mbi 1 milion shqiptarëve në një dekadë është pasojë direkte e kësaj situate. Kërkoj mbështetjen tuaj që kombi im të votojë i lirë”, u shpreh ai.

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë IDU-në, PPE-në dhe CDI-në për qëndrimet e deritanishme dhe raportet serioze nga OSBE, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës që, sipas tij, dëshmojnë se “në Shqipëri nuk pati zgjedhje të lira”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button