KryesoreLajme
Kryesore

Berisha: Më 11 Maj, votoni për burrat dhe djemtë që i përzuri Rama nga Shqipëria

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar gratë dhe vajzat shqiptare që të votojnë në 11 maj për Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

‘Votoni më 11 Maj për burrat dhe djemtë tuaj që i përzuri Edi Rama nga Shqipëria’, theksoi Berisha në fund të fjalës së tij, gjatë takimit me qytetarët e Tiranës në zonën e Xhamllikut.
Berisha: Të dashur miq, 11 Maji është një ditë në të cilën çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve të tij politike, përveç një grushti të vogël njerëzish që përfitojnë në mënyrë të paligjshme rreth qeverisë dhe zyrtarëve, voton për veten e tij, voton për pensionin e tij, voton për shkollën e fëmijëve të tij, voton për kujdesin shëndetësor të vetes dhe fëmijëve të tij.

Po çdo biznes do të votojë për biznesin e tij sepse ne do ulim energjinë elektrike për bizneset e vogla dhe të mëdha nga 18 lekë në 6 lekë.

Sepse ne do ulim taksën e hapësirës publike nga 1500 në 120 lekë.

Sepse ne do përgjysmojmë tarifën e ujit për bizneset.

Sepse ne do rrisim tavanet për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla nga 100 dhe 140 mijë euro në 180 mijë euro.

Sepse ne do ulim taksat për bizneset e tjera nga 23 në 10 përqind.

Do ulim TVSH-në nga 20 në 15 përqind.

Shqipëria, vendi me taksat më të ulëta në Europë, është programi ynë.

Miq, Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ëndrrës të të rinjve tanë, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse ëndërr dixhitale.

Ndaj dhe ne zotohemi ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin e internetit 3, inteligjencës artificiale, dataqendrave dhe kriptomonedhave.

Ne do vendosim Shqipërinë në trenin e teknologjisë së lartë.

Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. U garantoj se rezervat e jashtëzakonshme në diellit, erës, ujit të gjitha do shndërrohen në pasuritë tuaja publike.

Energjia do ulet fillimisht në 7 lekë për konsumatorët dhe pas instalimit të paneleve diellore, ajo do jetë falas pas 3 vitesh për çdo qytetar.

Miqtë e mi, kjo garë pra nuk është garë thjesht për pushtet e aq më pak për pushtetin e Sali Berishës.

Jo, kjo garë është një mision i madh, një mision të cilin e shprehu shumë bukur mikesha jonë, një mision për të shpëtuar Shqipërinë, një mision për të çliruar Shqipërinë.

Ndaj le të bashkohemi ne më 11 maj për t’u ndarë përfundimisht nga vjedhja e madhe që u bëhet shqiptarëve nga këta qeveritarë, për t’u rikthyer paratë dhe pasuritë publike shqiptarëve, për të zëvendësuar narkoshtetin me shtetin ligjor, për të respektuar liritë dhe të drejtat njerëzore, për barazinë e vërtetë gjinore.

Çfarë thoshte sot burreci 2 metra i gjatë? 70 përqind të forcave të punës e bëjnë gratë. Po, pasi burrat e tyre janë nisur në emigracion sepse nuk siguronin dot kafshatën këtu në Shqipëri. Por ky nuk është tregues.

Burrat kanë marrë rrugët e dheut për të siguruar jetesën e familjes së tyre dhe ai dilte e rrihte gjoksin se gratë në Shqipëri kanë arritur të jenë 70 përqind e forcës së punës.

Natyrisht për atë edhe 80 përqind, edhe 90 përqind po të shkojë është fare mirë sepse do karrigen e tij.

Kurse ne jo, ne duam barazinë gjinore, ne duam që forcat e punës të jenë të ekuilibruara, të punojë burri, të punojë edhe gruaja sepse në këtë mënyrë familja është më e mirëqenë, është më e fortë, më e sigurt.

Garantoj çdo nënë, çdo motër se përparësi absolute në programin tonë do jetë suksesi i tyre në biznese, në karrierë dhe në të gjitha drejtimet.

Ndaj dhe të dashura gra dhe vajza, nëna dhe motra, me 11 Maj votoni për veten tuaj, për burrat tuaj që kanë marrë rrugët e dheut, për djemtë që nuk janë këtu, për njerëzit tuaj që u përzunë me politikat e Edi Ramës nga Shqipëria, për dinjitetin tuaj, për dashurinë tuaj për familjen dhe Shqipëria.

Shqipëria madhështore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button