Berisha akuzon Ramën për “masakër elektorale” dhe paralajmëron mobilizim popullor kundër “narkodiktaturës”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë të fortë për mediat, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një “masakër elektorale” dhe një “farsë të turpshme zgjedhore”. Berisha theksoi se rezultatet e zgjedhjeve janë fabrikuar në mënyrën më të paimagjinueshme dhe paralajmëroi ndëshkim ndërkombëtar për këtë situatë, që ai e cilësoi si një batërdi elektorale.
“Unë e thashë që janë të gjitha rezultate të fabrikuara në mënyrën më të turpshme, më të paimagjinueshme. Por ato do të marrin ndëshkimin ndërkombëtar,” deklaroi Berisha. Ai shtoi se beteja politike do të vazhdojë në të gjitha frontet dhe garantoi mobilizim popullor kundër asaj që e quajti “narkodiktaturë”.
“Garantoj që shpejt do të jetë dita kur ambasadat e narkodiktatorit do rrethohen në të gjitha kryeqytetet e vendit, nga populli që iu shkelmua vota. Ky është vetëm një hap,” tha ai.
Berisha pohoi se kryeministri Rama “nuk do ta gëzojë mandatin e tij të ri” dhe do të përgjigjet për këtë “masakër elektorale” dhe “farsë të turpshme” që, sipas tij, është bërë hapur dhe pa asnjë kufizim.