Berisha: Faktori ndërkombëtar mbështet fuqishëm votën e lirë të shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit zgjedhore, duke cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar elektorale të 34 viteve në Shqipëri”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi vendosmërinë e PD-së për të denoncuar çdo parregullsi, blerje vote dhe shkelje ligjore gjatë zgjedhjeve. Ai shprehu besimin e plotë se faktori ndërkombëtar do të qëndrojë në anën e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
“Jam shumë i bindur se ndërkombëtarët nuk do të lejojnë të cenohet e drejta e votës së lirë, pavarësisht presioneve për hir të interesave politike të Edi Ramës,” tha Berisha.
Kreu i opozitës paralajmëroi një angazhim të dyfishtë të PD-së, si në terren përmes lëvizjeve të fuqishme brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare përmes dialogut intensiv me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim vërtetimin e manipulimeve në procesin zgjedhor.
“Ne do të dokumentojmë çdo blerje vote, çdo shkelje dhe dhunim të hapur e të fshehur të ligjit,” theksoi ai.
Berisha e përmbylli deklaratën duke u zotuar se PD do të vijojë me përpjekjet intensive për të ekspozuar, siç tha ai, “shëmtinë e farsës elektorale të 11 majit 2025”.