Belind Këlliçi lexon letrën prekëse të një nëne të një fëmije me autizëm: “Edi Rama na përzuri me bisht ndër shalë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka mbajtur një deklaratë të veçantë, ku përveç akuzave të zakonshme ndaj qeverisë Rama, vendosi të japë zë një nëne të një fëmije me autizëm, që denoncon braktisjen nga shteti shqiptar.
Në letrën e lexuar nga Këlliçi, nëna me inicialet E.B., e cila ka emigruar për një jetë më të mirë, shkruan: “Pas 15 vitesh bashkëjetesë me autizmin, nga të cilat 10 vite ti ishe kryeministri im, jo vetëm që na injorove, por na zhyte në trishtim dhe harresë.” Ajo akuzon Kryeministrin se nuk ka ofruar asnjë mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre, duke e quajtur “të pamëshirshëm dhe të paditur”.
Këlliçi e shfrytëzoi këtë rast për të dënuar politikat e qeverisë: “Ke 12 vite që i detyron shqiptarët të emigrojnë, sepse nuk ofron asnjë shërbim për fëmijët specialë, as për ata që vuajnë nga sëmundje të rënda, as për arsimin apo shëndetësinë,” tha ai.
Duke i bërë thirrje qytetarëve për ndryshim, ai përfundoi: “Më 11 maj, kjo histori do të marrë fund. Do të kthejmë dinjitetin dhe vlerat në këtë vend.”