Kosova

Bekë Berisha: Do ta votoja cilindo kandidat të VV-së, se janë “të njëjtë”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka deklaruar sot para vazhdimit të seancës konstituive se do ta kishte votuar cilindo kandidat për kryetar të Kuvendit që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, të gjithë kandidatët e kësaj partie janë “të njëjtë” dhe nuk ka dallim mes tyre.

“Ishte dashur, nëse ka vullnet që të dilet nga kjo situatë, ishte dashur. Ne po bisedojmë ngapak, po aty ka, për shembull, merake të ndryshme – jo unë e kisha votuar atë. Unë çka dalloj nga grupi, veç që mua më duken të njëjtë, nuk ke çka të zgjedhësh aty. Cilindo ta qesin, me Kushtetutë i takon, po qitja cili të jetë, se të njëjtë janë”, u shpreh Berisha.

Pavarësisht kësaj deklarate, ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës vazhdon. As aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka arritur të zhbllokojë situatën. Kushtetuesja ka përcaktuar se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga dita e parë, që do të thotë më së largu deri më 26 korrik.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur përpjekje për ta bërë votimin e kryetarit të Kuvendit në mënyrë të fshehtë, duke propozuar çdo dy ditë formimin e një komisioni për këtë qëllim. Por këto propozime nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme.

Kjo strategji e VV-së erdhi pasi kandidatja e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar disa herë radhazi të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Partitë opozitare kundërshtojnë idenë e votimit të fshehtë, duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin thonë se nuk e lejon këtë formë votimi. Por nga Vetëvendosje këmbëngulin se interpretimi i aktgjykimit lejon pikërisht këtë metodë si rrugëdalje nga bllokada.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button