BE-ja nis sistemin e ri të kontrollit kufitar më 12 tetor: Fundi i vulave në pasaporta, rritje e pritjeve në kufi

Bashkimi Evropian ka njoftuar se më 12 tetor 2025 do të nisë zbatimin gradual të Sistemit të ri të Hyrje/Daljes (EES), që do të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën e kontrollit kufitar për qytetarët që nuk janë nga blloku evropian.
Sistemi i ri, që do të zëvendësojë vendosjen e vulave në pasaporta, do të regjistrojë automatikisht datat e hyrjes dhe daljes të udhëtarëve, si dhe çdo tejkalim të qëndrimit apo hyrje të refuzuar. Gjithashtu, do të grumbullojë të dhëna personale dhe biometrike, përfshirë fotografi të fytyrës dhe gjurmë gishtash.
EES do të nisë të zbatohet në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, përfshirë edhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin – vende që janë pjesë e zonës Schengen. Rreth 60 vende, përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të përfshihen në këtë sistem.
Komisioni Evropian ka theksuar se sistemi do të zbatohet në faza: pas tre muajsh nga nisja, ai duhet të funksionojë në gjysmën e pikave kufitare, dhe pas gjashtë muajsh të jetë tërësisht operacional.
Autoritetet kanë paralajmëruar se udhëtarët duhet të përgatiten për pritje më të gjata në kufi, pasi procedurat e reja mund të marrin disa minuta shtesë për secilin. Për këtë arsye, do të zhvillohen fushata informuese në aeroporte dhe pika kalimi kufitare në gjithë BE-në, me qëllim informimin dhe përshtatjen e udhëtarëve me sistemin e ri.
Sipas komisionarit për Migrim, Magnus Brunner, sistemi do të rrisë sigurinë, do të ndihmojë në identifikimin e atyre që tejkalojnë qëndrimin, do të parandalojë lëvizjet e parregullta dhe do të ulë mashtrimet me dokumente dhe identitete.
Pasaportat e shteteve të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të pajisura me çipë biometrikë dhe janë të harmonizuara me standardet e BE-së, duke u mundësuar qytetarëve të këtyre vendeve të përfitojnë nga regjimi pa viza. Megjithatë, me fillimin e EES, proceset e kalimit të kufijve do të marrin një tjetër dimension më të kontrolluar dhe të digjitalizuar.