Lajme

Basir Çollaku: Zgjedhjet e 11 majit rikthyen Shqipërinë në vitin ’96 – Krimi dhe manipulimi dominuan procesin

Gazetari dhe analisti Basir Çollaku ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook lidhur me zgjedhjet vendore të 11 majit në Shqipëri, të cilat sipas tij përfaqësojnë një kthesë dramatike në rrugën e demokracisë në vend. Ai i ka cilësuar këto zgjedhje si një version më ekstrem i atyre të vitit famëkeq 1996, duke theksuar se krimi dhe manipulimi janë bërë tashmë pjesë e pandashme e normalitetit politik.

Sipas Çollakut, modeli i përdorur në Dibër me Agron Malajn ishte një kopje e asaj që ndodhi në Elbasan më 2021 me Taulant Ballën. “Modelet nuk kanë dallime. ‘Suelët’ ishin aty për të punuar për të,” shkruan ai, duke ju referuar personazheve të njohur për lidhje me krimin në zgjedhje të kaluara.

Çollaku e cilëson 11 majin si një datë që në letër ishte kalendar elektoral, por në realitet u kthye në një përsëritje të vitit 1996, kësaj here me një përmasë edhe më ekstreme. Ai flet për një qeveri të pandehur, me gjysmën e bashkiakëve të inkriminuar, dhe shtabe elektorale të mbushura me trafikantë droge dhe elementë mafiozë.

“Demokracia e shkatërruar, shteti i frikës”

Në postimin e tij, Çollaku thotë se shteti është kthyer në një makineri presioni dhe dhune ndaj qytetarëve, ku çdo zyrë publike është inkriminuar dhe frika është bërë mjet sundimi. Ai përshkruan një realitet ku qytetarët survejohen, kërcënohen dhe manipulohen për të votuar. “Presioni ishte më i shpeshtë se vaktet e ushqimit ditor”, shkruan ai, duke ironizuar masivitetin e ndërhyrjes në procesin zgjedhor.

Lista e “ofertave elektorale” përfshin nga ndihma ekonomike, asfalt dhe tuba, e deri te zarfe me kokainë, punësime tremujore dhe tendera me flamuj të kuq. Patronazhistët dhe punonjësit e bashkive, sipas tij, u shndërruan në ushtarë elektoralë.

SPAK i pafuqishëm dhe ndërkombëtarët të heshtur

Çollaku kritikon ashpër edhe institucionet ligjzbatuese, përfshirë SPAK, duke i akuzuar për pafuqishmëri dhe madje për përdorim politik. Ai ngre pyetjen sesi të pandehur të SPAK mund të jenë njëkohësisht fitues të zgjedhjeve, duke e quajtur këtë një paradoks të thellë që tregon mungesë besimi tek drejtësia dhe demokracia.

Ndërsa për faktorin ndërkombëtar, ai thotë se vazhdimisht e kanë parë Shqipërinë përmes prizmit të turizmit dhe stabilitetit formal, duke injoruar destabilizimin demokratik të vendit.

Përfundimi: Një diktaturë moderne në emër të stabilitetit

Çollaku mbyll me një paralajmërim të fortë: “Kur qytetarët kanë frikë nga pushteti, jemi në diktaturë.” Ai shprehet se ndonëse në letër Shqipëria mund të jetë në stabilitet, në realitet demokracia është e destabilizuar rëndë nga ky model zgjedhor. Sipas tij, historia po përsërit veten dhe është koha për qytetarët që të reagojnë për ta ndalur këtë rrokullimë.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button