Britania e Madhe intensifikon luftën kundër rrjeteve kriminale në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar masa të reja për të luftuar rrjetet kriminale që lehtësojnë migrimin e paligjshëm në Ballkanin Perëndimor, në një përpjekje për të frenuar prurjet ilegale drejt Britanisë së Madhe. Këto deklarata vijnë gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri, vetëm disa ditë pas shpalljes së një pakete të gjerë reformash për reduktimin e migrimit të ligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, Starmer pritet të shpallë ndalimin e rikthimit në Britani të shtetasve shqiptarë të dëbuar më parë. Njëkohësisht, ai do të prezantojë masa për forcimin e bashkëpunimit kundër pastrimit të parave mes të dy vendeve.
Mbretëria e Bashkuar do të dhurojë gjithashtu dy pajisje të specializuara për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, me synimin për të identifikuar individët që përdorin pasaporta të rreme për të hyrë në territorin britanik.
Një tjetër pikë e rëndësishme e axhendës është zgjerimi i task-forcës së përbashkët për migrimin. Deri më tani, kjo strukturë ka përfshirë vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por Starmer pritet të njoftojë përfshirjen edhe të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, në një përpjekje më të gjerë rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Në vitin 2022, shqiptarët përbënin grupin më të madh të emigrantëve që hynin ilegalisht në Britani përmes kanalit të La Manshit me varka të vogla. Megjithatë, ky numër ka shënuar rënie të ndjeshme, pjesërisht falë një marrëveshjeje për riatdhesim të firmosur nga qeveria konservatore britanike në atë kohë.
Vizita e Starmer në Tiranë sinjalizon një përkushtim të ri të Londrës për të adresuar sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe migracionit, me një fokus të veçantë te parandalimi i krimit transnacional dhe forcimi i partneriteteve në rajon.