Kosova
Kryesore

Barduani pret zyrtarin amerikan në selinë e KFOR-it: SHBA riafirmon mbështetjen për sigurinë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur sot në selinë e misionit në Prishtinë Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së për politikën europiane dhe të NATO-s, David Baker.

Sipas një njoftimi të KFOR-it, takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të ndarë pikëpamjet mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe rrugën përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtari i lartë amerikan, David Baker, ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për misionin e KFOR-it, duke nënvizuar përkushtimin për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe duke siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme,” thuhet në njoftim.

KFOR gjithashtu theksoi se bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbetet thelbësor. Misioni operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button