Banorët e Hotolishtit në protestë: Bllokojnë rrugën, kërkojnë transparencë për projektin Elbasan–Qafë Thanë

Prej tetë muajsh pa përgjigje nga autoritetet, banorët e fshatit Hotolisht kanë dalë sot në protestë, duke bllokuar segmentin rrugor që kalon nëpër zonën e tyre. Ata shprehen të revoltuar për mungesën e transparencës lidhur me projektin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë, i cili, sipas variantit aktual, parashikon shembjen e rreth 30 shtëpive në fshat.
Protestuesit kërkojnë që të rishqyrtohet projekti dhe të merret në konsideratë ndërtimi i një tuneli, i cili, sipas tyre, do të kishte ndikim minimal në jetën e komunitetit dhe në mjedis.
Një tjetër shqetësim madhor për banorët është kompensimi i ofruar nga shteti. Ata e konsiderojnë të pamjaftueshëm për të rindërtuar banesat e tyre, ndërsa çmimin aktual prej 174 lekësh për metër katror për tokat e tyre e cilësojnë të papranueshëm.
Zemërimi i banorëve është përqendruar edhe ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila nuk iu përgjigj thirrjes për takim këtë të martë, ndonëse një vizitë e saj ishte paralajmëruar.
“Veprimi i ministres Balluku për të mos ardhur dhe për të sqaruar këta banorë është një absurditet shumë i madh,” u shpreh një banor i revoltuar.
Në përfundim të protestës, banorët paralajmëruan bojkot të zgjedhjeve të 11 majit, nëse nuk merret një vendim i drejtë dhe transparent për këtë projekt që rrezikon të shkatërrojë shtëpitë dhe jetesën e tyre.