Kosova

Bajraktari: Propozimi i Prokurorisë Speciale për kufizime ndaj Thaçit është i paqëndrueshëm

Avokati Ardian Bajraktari ka cilësuar si të paqëndrueshëm propozimin e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për vendosjen e kufizimeve në vizitat ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se nuk ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët, pasi dëgjimi i tyre tashmë ka përfunduar.

“Një propozim i tillë nga ana e prokurorisë është i paqëndrueshëm për faktin se në këtë fazë të procedurës penale ka përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të prokurorisë. Ndikimi mbi ta është i pamundur. Kemi të bëjmë me një akuzë të paqenë, ngase elementet e veprës penale, si dhuna ose kanosja serioze, nuk mund të ekzistojnë për dikë që tash e pesë vjet ndodhet në paraburgim”, deklaroi ai.

Bajraktari u shpreh se këto tentativa të prokurorisë synojnë të zhvendosin vëmendjen nga procesi gjyqësor i shtatorit, ku sipas tij, rolin kryesor do ta ketë mbrojtja. Ai e cilësoi këtë hap si përpjekje për spektakël mediatik.

“Me rregullativën e Dhomave të Specializuara, vizitat te ish-krerët e UÇK-së bëhen vetëm me leje paraprake. Po të kishte rrezik, kjo do të ishte ndaluar më herët. Masat janë të panevojshme dhe në shpërputhje me qëllimin që pretendohet të arrihet”, tha avokati.

Ai vuri në dukje rëndësinë e faktit që gjykata nuk ka aprovuar propozimin e prokurorisë për çështjen e vëllezërve Thaçi, duke shtuar se një vendim i tillë do të ishte i rëndë duke marrë parasysh gjendjen emocionale të ish-presidentit pas humbjes së babait.

Sipas tij, dëshmitarët e propozuar për fazën e ardhshme të gjykimit janë “jashtëzakonisht kredibilë” dhe do të kundërshtojnë me sukses pretendimet e prokurorisë.

“Jam i bindur se ata do të kundërargumentojnë suksesshëm atë çka ka thënë prokuroria, duke theksuar rolin dhe kontributin e Thaçit dhe të tjerëve”, theksoi Bajraktari.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button