Avokati i Popullit kritikon ZRRE-në: Vendimi për tregun e lirë të energjisë është i nxituar dhe cenon të drejtat e qytetarëve

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Sipas tij, ky vendim është i nxituar dhe mund të sjellë pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve dhe barazinë në trajtim.
“Vendime të tilla në rrethana kur institucionet janë të bllokuara dhe mungon debati parlamentar, cenojnë interesin publik dhe krijojnë pabarazi mes konsumatorëve”, deklaroi Qelaj për Ekonomia Online.
Ai vuri në dukje se në mungesë të një debati publik institucional, vendimet që prekin drejtpërdrejt qytetarët nuk janë të pranueshme. “Kjo periudhë është shumë e vështirë për të marrë vendime të tilla, sado që ZRRE mund të ketë kryer punën e vet teknike”, shtoi ai.
Qelaj theksoi gjithashtu se Qeveria do të duhej të ndërhynte për të ofruar zgjidhje më të favorshme për qytetarët dhe bizneset, në vend që barra të mbetet vetëm mbi konsumatorët e tregut të lirë.
Ai paralajmëroi se përballja e vendimit të ZRRE-së në gjykata mund të sjellë trajtim të pabarabartë. “Zgjidhjet gjyqësore mund të krijojnë situata diskriminuese – disa biznese përfitojnë, disa jo. Kjo e minon parimin e barazisë”, tha ai.
Megjithëse deri tani nuk janë paraqitur ankesa në institucionin që ai drejton, Qelaj nënvizoi se kjo nuk e përjashton nevojën për rishikim të vendimit nga ZRRE.
Ai përfundoi duke paralajmëruar se hyrja në fuqi e vendimit në këto rrethana mund të ketë ndikim negativ në aktivitetin ekonomik të bizneseve, vendet e punës dhe të drejtat socio-ekonomike të qytetarëve.
Për më tepër, mbetet të shihet nëse ZRRE do të reflektojë mbi këtë vendim dhe nëse Qeveria do të ndërmarrë hapa për të mbrojtur interesin publik.