Australi–Japoni nënshkruajnë marrëveshje historike për 11 fregata luftarake

Australia ka njoftuar javën e kaluar për një marrëveshje prej 6,5 miliardë dollarësh me Japoninë për blerjen e 11 fregatave të avancuara të klasit Mogami, në një hap që pritet ta forcojë fuqinë detare të Canberrës në Paqësor dhe të rrisë rolin e Tokios si eksportues i madh armësh.
Sipas Ministrisë australiane të Mbrojtjes, anijet do të jenë versione të “përmirësuara” të atyre që aktualisht përdoren nga Forca Detare e Vetëmbrojtjes së Japonisë, me madhësi më të madhe, fuqi zjarri më të lartë dhe autonomi lundrimi deri në 11.500 milje detare.
Ministri australian për Industrinë e Mbrojtjes, Pat Conroy, e cilësoi marrëveshjen si “një hap tjetër drejt ndërtimit të një marine shumë më të madhe dhe më vdekjeprurëse, me fregata të fshehta që do t’i qetësojnë aleatët tanë dhe do t’i pengojnë kundërshtarët tanë”.
Ky zhvillim vjen mes tensioneve në rritje me Kinën, pas manovrave ushtarake kineze pranë brigjeve australiane më herët këtë vit, që detyruan dhjetëra fluturime civile të devijonin nga rrugët e tyre.
Nga ana tjetër, Ministri japonez i Mbrojtjes, Gen Nakatani, e përshkroi marrëveshjen si një “hap të madh” për forcimin e bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve, pjesë e grupit të mbrojtjes Quad të udhëhequr nga SHBA-ja.