Auditimi zbulon menaxhim joefikas të Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin për menaxhimin e Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë për periudhën 2017–2024, duke evidentuar mangësi serioze në funksionimin e tij.
Sipas raportit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk ka menaxhuar në mënyrë efikase Fondin, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk kanë kryer monitorim të mjaftueshëm të zbatimit të politikave dhe arritjes së caqeve të vendosura për vitin 2020.
Auditimi ka gjetur probleme gjatë fazës testuese dhe certifikimit të prodhuesve të energjisë së ripërtërishme, mungesë të garancive financiare për furnizuesit dhe prodhuesit, si dhe vonesa deri në shtatë muaj në inkasimin e të hyrave nga furnizuesit, me obligime totale prej 20 milionë eurosh. Gjithashtu, procesi i shitblerjes së energjisë së ripërtërishme ka treguar nivel të lartë të jo-balancave, pa mekanizma efektiv për minimizimin e kostove shtesë për Fondin.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se institucionet përgjegjëse nuk kanë qenë efikase në arritjen e caqeve të vendosura për energjinë nga era, dielli dhe uji, dhe skemat mbështetëse të hartuara nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
Për të përmirësuar menaxhimin dhe funksionimin e Fondit, ZKA ka dhënë nëntë rekomandime konkrete institucioneve përkatëse.



