Kosova

Rreth 1 milion shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në BE nga viti 2008 deri në 2024

Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2008 deri në fund të vitit 2024, rreth 1 milion qytetarë shqiptarë kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Europian. Ky trend tregon një presion të vazhdueshëm emigrimi drejt Europës, pavarësisht zhvillimeve ekonomike dhe sociale në Shqipëri.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2008 ishin regjistruar 97,780 leje qëndrimi të reja, ndërsa deri në vitin 2014 stoku arriti rreth 389 mijë. Pas vitit 2015, ritmi i rritjes u përshpejtua, duke kaluar mbi 600 mijë në vitin 2018 dhe mbi 765 mijë në vitin 2021. Vetëm nga 2021 deri në 2024, numri i lejeve të dhëna u rrit me mbi 230 mijë, duke e çuar totalin kumulativ në 999,138.

Ekspertët shpjegojnë se motivi kryesor i emigracionit mbetet kërkimi i mundësive për punësim dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike. Paga mesatare në Shqipëri vazhdon të jetë shumë poshtë mesatares së BE-së dhe rajonit, ndërsa mungesa e vendeve të punës të rregullta dhe informaliteti i lartë në tregun e punës e shtyjnë shumë shqiptarë drejt vendeve si Italia, Greqia dhe Gjermania.

Një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve është për shkak të arsimit dhe programeve europiane, ndërsa një tjetër pjesë ka lidhje me bashkimin familjar, pasi shqiptarët që u vendosën më parë në vendet e BE-së kanë sjellë pasardhësit ose anëtarët e familjes.

Shifra e rreth 1 milion lejeve të qëndrimit rendit Shqipërinë ndër vendet me emigracionin më të lartë në raport me popullsinë dhe vendos komunitetin shqiptar ndër më të mëdhenjtë në hapësirën europiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button