Kosova

Ushtarët amerikanë ndihmojnë në shuarjen e zjarrit që kërcënoi Manastirin e Deviçit

Në përballje me valën e zjarreve që kanë përfshirë vendin këtë verë, Kosova ka marrë ndihmë të drejtpërdrejtë edhe nga trupat amerikane të dislokuara në vend. Ushtarët e Gardës Kombëtare të Kentakit, pjesë e Task Forcës së Aviacionit, kanë ndërhyrë në kohë për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri që kërcënonte një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës – Manastirin e Deviçit në Skenderaj.

Për këtë operacion ka njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), ku theksohet vendosmëria dhe reagimi i shpejtë i trupave amerikane.

“Kur zjarret kërcënuan Manastirin e Deviçit në Kosovë, Garda e Kentakit, Task Forca e Aviacionit u vendos në aksion. Falë reagimit të tyre të shpejt, manastiri u ruajt,” thuhet në njoftim.

Ndihma e ofruar nga trupat amerikane vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, dhe konfirmon edhe njëherë përkushtimin e aleatëve ndërkombëtarë për të mbështetur Kosovën në situata emergjente dhe ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.

Zjarret gjatë kësaj vere kanë përfshirë disa zona të vendit, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe pyjore dhe duke rrezikuar banesa e objekte me vlerë historike. Autoritetet vazhdojnë të jenë në gatishmëri për përballimin e situatave të ngjashme në ditët në vijim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button