Arrestohet në Tiranë 45-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Operacionalja 37”

Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 45-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, gjatë një operacioni të finalizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 37”, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në Tiranë i shtetasit Genti Beqiri, i njohur edhe me identitetin Eduard Pano. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Napoli kishte lëshuar një urdhër-arresti për veprat penale: “Grup kriminal”, “Trafikim lëndësh narkotike” dhe “Falsifikim dokumentash”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.
Operacioni u realizua falë bashkëpunimit mes FAST Albania dhe Rrjetit Evropian të Forcave të Specializuara (ENFAST), duke shënuar edhe një tjetër sukses në përpjekjet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me Interpol Romën për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 45-vjeçarit drejt Italisë.