Arrestohet 41-vjeçari nga Kosova në kufirin e Shqipërisë për “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Plagosje e rëndë”

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke përdorur analizën e riskut dhe inteligjencën policore. Si rezultat i këtyre masave, në bashkëpunim me Policinë e Kukësit dhe Interpol Tirana, është arrestuar 41-vjeçari H. L., banues në Deçan, Kosovë.
Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, pasi autoritetet austriake kishin lëshuar ndaj tij urdhër arresti për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë” dhe “Vjedhje”.
Gjatë intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të Shqipërisë, është konfirmuar se ai ishte nën hetim nga autoritetet austriake. Tani, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Austrisë, ku do të përballet me akuzat për krimet që ka kryer.
Interpol Tirana dhe autoritetet austriake po bashkëpunojnë për të finalizuar ekstradimin dhe për të siguruar drejtësinë për veprat penale të dyshuara.