Arrestohet 29-vjeçari në Tiranë, kishte kthyer lokalin në pikë bastesh të paligjshme

Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi kishte kthyer lokalin që administronte në një qendër të paligjshme të vënies së basteve sportive.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas kontrolleve të vazhdueshme dhe informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore. Gjatë kontrollit në një lokal në fshatin Daijas, u konstatua se zhvilloheshin aktivitete të kundërligjshme bastesh sportive përmes telefonit celular.
Në përfundim të operacionit, u arrestua në flagrancë administratori i lokalit, shtetasi Sh. D., 29 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Policia njoftoi se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.